Kapiteni i Juventusit dhe një prej ikonave më të mëdha të futbollit italian, Alessandro Del Piero, në derbin e nesërm ndaj Milanit do ta zhvillojë ndeshjen e tij të 600-të me klubin e tij.
Legjenda e biankonerëve tashmë 16 vite i mbron ngjyrat e klubit nga Torino dhe është rekorder sa i takon golave dhe ndeshjeve në historinë e Juventusit.
Në ndeshjen kundër Milanit, Del Piero do të bëhet lojtari i parë në historinë e Zonjës së Vjetër që do të luajë 600 ndeshje me klubin. 34-vjeçari deri tash ka shënuar 260 gola në 599 paraqitje me fanellën bardhezi.
Biografi e shkurtër e Del Pieros
Alessandro Del Piero debutoi me Juventusit më 12 shtator të vitit 1993 kundër ekipit Foggia, nën drejtimin e trajnerit Giovanni Trapattoni. Një javë më pas ai shënoi edhe golin e parë të tij në Serie A.
Që nga atëherë Del Piero ka fituar 5 tituj në kampionatin italian, duke mos i përfshirë këtu edhe dy titujt që iu morën Juventusit në vitet 2005 dhe 2006 për shkak të skandalit të montimit të ndeshjeve.
Ai ka fituar edhe Ligën e Kampionëve në vitin 1996 dhe Kupën e Italisë një vit më parë, derisa ka qenë edhe pjesë e kombëtares italiane në triumfin në Kampionatin Botëror, Gjermania 2006, dhe në humbjen nga Franca në finalen e Euro 2000.