Genoa ka pësuar me rezultat 2-0 në ndeshjen në udhëtim tek ekipi në krizë, Bologna, duke humbur edhe rastin për të rimarrë pozitën e katërt në tabelën e Serie A, ku tash gjendet Fiorentina.
Ekipi i Bolognas, i cili më pak se dy javë më parë shkarkoi trajnerin serb Sinisa Mihajloviq, duket se po rigjen veten nën drejtimin e trajnerit të ri, Giuseppe Papadopulo.
Vendasit kryen punën që në pjesën e parë të ndeshjes. Së pari Marco di Vaio shënoi nga penaltia pas 15 minutash lojë, ndërsa pas dhjetë minutash tjera rezultatin e dyfishoi kapiteni Claudio Terzi.
Genoa, që nuk arriti të gjejë portën kundërshtare pavarësisht se dominoi edhe në posedim e edhe në rastet për shënim, do të mbajë vendin e pestë me 57 pikë.
Në vendin e katërt tash është ngritur Fiorentina me një pikë më shumë, falë fitores së mbrëmshme ndaj Romës.
Humbje befasuese ka pësuar edhe Lazio, që pavarësisht paraqitjeve të mira së fundi u mposht para tifozëve të vet në Olimpico nga Atalanta me rezultat minimal 1-0.