Dy gola të Steven Gerrard dhe një gol tjetër i shënuar nga Babel e kanë ngritur Liverpoolin në krye të tabelës së Ligës Premier, pas fitores 3-0 në udhëtim tek West Ham United.
Kapiteni i të kuqve shënoi golin e parë pas vetëm 77 sekondash lojë, pas një asistimi të sulmuesit Fernando Torres.
Në minutën e 37-të, për mysafirët u akordua penalti, pasi Boa Morte tërhoqi për fanelle Torresin. Goditja e Gerrard nga pika e bardhë u mbrojt nga portieri Robert Green, por kapiteni reagoi shpejt për dërguar në rrjet topin e rikthyer tek ai.
Rezultatin e vulosi një aksioni i dy holandezëve Dirk Kuyt dhe Ryan Babel, gjashtë minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes. Kuyt harkoi për të gjetur në zonë Babel, goditja me kokë e të cilit u mbrojt nga portieri kundërshtar, por holandezi nuk huqi në tentimin e dytë, kur topi iu rikthye bukur tek ai.
Tre pikët e reja e ngrenë Liverpoolin në krye të tabelës së ligës angleze, me pikë të barabarta me United (që ka dy ndeshje më pak). Ekipi i Sir Alex Ferguson nesër do të mund të rikthehet në maje të tabelës nëse nxjerr pikë në derbin e qytetit përballë Cityt, që do të zhvillohet në Old Trafford.
Humbja e West Ham në anën tjetër, i kushton këtij ekipi edhe me humbjen e pozitës së shtatë që dërgon në garat evropiane, ku tash ngjitet Fulhami, që sot mposhti Aston Villan me rezultat 3-1.