Skuadra e Juventusit nuk ka arritur më shumë se një barazim në teren vendas kundër Atalantas.
Zonja e Vjetër nuk di për fitore që nga java e 29-të, ndërsa takimi i zhvilluar të dielën në Stadio Olimpico të Torinos, ndërmjet Juves dhe Atalantas, ka përfunduar me rezultat të barabartë prej 2-2.
Porsa filloi ndeshja (2’), mysafirët kaluan në epërsi me golin e Luca Cigarinit.
Vendasit u kthyen në lojë me golin e Vincenzo Iaquintas në minutën e 26-të, ndërsa dhjetë minuta më vonë, Cristiano Zanetti shënoi një supergol për t’ia dhënë avantazhin skuadrës bardhezi.
Mirëpo pa përfunduar pjesa e parë (44’), mysafirët u treguan sërish të rrezikshëm, ndërsa Maximiliano Pellegrino e mposhti Buffonin për ta barazuar rezultatin.
Në pjesën e dytë nuk u shënua asnjë gol, madje as inkuadrimi në lojë i Alessandro Del Pieros (62’) dhe David Trezeguet (72’) nuk doli i efektshëm për Bianconerët.
Me këtë barazim Juve rrezikon ta humbë edhe vendin e tretë në tabelë, pasi që Fiorentina është afruar në vetëm një pikë diferencë.