Mario Gomez ka shënuar që të katër golat e fitores, në ndeshjen në të cilën Stuttgart deklasoi liderin e Bundesligës, duke e mposhtur me rezultat 4-1 për të mbajtur të hapur garën për titull.
Sulmuesi gjerman shënoi nga dy gola në secilën pjesë (minutat: 1, 20, 63 dhe 77), me golin e parë të shënuar pas vetëm 28 sekondash lojë. Golin e nderit për Wolfsburg e shënoi sulmuesi boshnjak Edin Dzeko (36’).
Humbjen e Wolfsburgut më së miri e ka shfrytëzuar Bayern Munichu, që shënoi fitore 3-1 në fushë të Energie Cottbus, për t’u renditur në pozitën e dytë me pikë të barabarta me liderin e tabelës.
Edhe Hertha Berlin vazhdon t’i mbajë gjallë shpresat për titull, pasi shënoi fitore 2-0 në fushë të Bochumit.
Kur kanë mbetur edhe tre ndeshje deri në fund të sezonit, Wolfsburgu dhe Bayerni kryesojnë me nga 60 pikë, Hertha mbledh 59 pikë në pozitën e tretë, ndërsa Stuttgarti 58 në të katërtën.
Hamburg do të mund të barazojë pikët me Stuttgart nëse shënon fitore ndaj Werder Bremenit në derbin e nesërm të Bundesligës.