Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se rikthimi i Florentino Perezit si president i Real Madridit, do të joshte cilindo trajner për t’i drejtuar Mbretërit.
Francezi është njëri nga trajnerët, të cilin Perez do të tentojë ta angazhojë te Los Blancos, nëse i fiton zgjedhjet e qershorit.
Ndërsa edhe pse më herët e ka refuzuar mundësinë për të kaluar te Reali, me deklaratën e tij të fundit, Wenger ka lënë të kuptohet se edhe ai është i hapur për të kaluar në Bernabeu.
“Me Florentino Perezin në krye, do të ishte joshëse për cilindo trajner ta drejtojë Realin. Për vete nuk dëshiroj të flas për këtë, sepse unë zakonisht i respektoj kontratat e mia”, është cituar 59-vjeçari nga “L'Equipe”.
Kontrata e Wenger me Arsenalin përfundon në vitin 2010, ndërsa ky është viti i katërt radhazi që Topçinjtë nuk fitojnë asnjë trofe, prandaj ndoshta është koha që Wenger të kërkojë punë në një skuadër tjetër.