Sir Alex Ferguson i ka ftuar lojtarët e tij që në ndeshjen e sotme përballë Portos, ta përsërisin ndeshjen e vitit 1999 kur në Torino eliminuan Juventusin.
Kampioni në fuqi i Evropës ka një detyrë të vështirë për t’u kualifikuar në rundin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, pasi në ndeshjen e parë çerekfinale barazoi me rezultat 2-2 ndaj Portos në Old Trafford.
Edhe në vitin 1999 Manchester United kishte barazuar në fushë vendore ndaj Juventusit me rezultat 1-1, ndërsa fitoi në ndeshjen e kthimit me rezultat 3-2, duke siguruar edhe finalen e atij viti përballë Bayernit.
“Juventus është ndeshja që më kaloi nëpër mend. Luajtëm baras në fushë vendore dhe pastaj ishte e nevojshme të fitojmë si mysafirë, të cilën e arritëm. Ka shumë ndeshje të cilat do të dëshironim t’i përsërisim”, ka thënë Ferguson.
“Lojtarët duhet të dalin në fushë dhe të luajnë në standardet të cilat priten nga Manchester United. Të gjithë lojtarët duhet të jenë në nivel në këtë detyrë, jo vetëm disa individë”, ka shtuar trajneri skocez.