Manchester United është rikthyer nga diavantazhi 1-0 në pjesë të parë, për të shënuar fitore prej 2-1 në pjesë të dytë dhe për të krijuar gjashtë pikë diferencë në krahasim me Liverpoolin, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të sezonit.
Pavarësisht se djajtë e kuq dominuan në raste në fillim të ndeshjes, ishin vendasit që kaluan të parët në epërsi me anë të goli të Hugo Rodallega, në minutën e 28 të lojës.
Argjentinasi Carlos Tevez hyri si zëvendësues në pjesën e dytë të lojës dhe shënoi një gol të shkëlqyeshëm pas asistimit nga Michael Carrick, duke barazuar rezultatin në JJB Stadium (61’).
Carrick doli të ishte shtylla e sotme e Manchesterit, pasi shënoi edhe golin e fitores katër minuta para fundit të ndeshjes, pas një asistimi nga John O’Shea (86’).
Me tre pikët e reja, Manchesteri krijon gjashtë pikë diferencë ndaj Liverpoolit, dhe ka nevojë vetëm për një pikë për të siguruar titullin e tretë radhazi në Ligën Premier.
Ndeshja e ardhshme e ekipit të drejtuar nga Sir Alex Ferguson, është derbi i vikendit përballë Arsenalit në Old Trafford.