Valencia ka mposhtur si me lojë po ashtu edhe me rezultat bindës, 3-0, kampionin në fuqi të ligës spanjolle, Real Madridin, në ndeshjen e zhvilluar në Mestalla, për të siguruar edhe këtë javë pozitën e katërt të tabelës.
Dy gola në pjesë të parë dhe një gol i pjesës së dytë nga vendasit, fundosën për të dytën ndeshje radhazi Realin.
Juan Mata hapi rezultatin për Valencian kur nuk kishin kaluar as gjysmë ore lojë (29’). Sulmi i filluar nga Marchena, u ndihmua nga David Silva dhe David Villa, dhe u përfundua nga Mata, që shënoi një gol të shkëlqyeshëm.
Vendasit morën kurajë dhe shumë shpejt edhe dyfishuan rezultatin. Kësaj here ishte Silva ai që nuk arriti të ndalohet nga Casillas në minutën e 32-të të lojë.
Mesfushori spanjoll Ruben Baraja vulosi rezultatin në pjesën e dytë të ndeshjes, duke shënuar edhe golin e tretë për Valencian (69’).
Me tre pikët e fituara Valencia mbledh 59 pikë në pozitën e katërt, katër më shumë se ndjekësit Villarreali dhe Atletico Madrid, që ndeshjet e radhës do t’i zhvillojnë të dielën.
Reali në anën tjetër humb rastin për të ngushtuar diferencën me Barcelonën, kur kanë mbetur edhe tre ndeshje deri në fund të sezonit. Nëse shënon fitore në ndeshjen ndaj Villarrealit në Camp Nou, Barcelona shpallet kampion që nesër (të dielën).