Trajneri i Brazilit, Dunga, e ka lëvduar rikthimin në formë të të tri herë lojtarit më të mirë në botë, Ronaldo, dhe ka deklaruar publikisht se ende ekziston mundësia që 32-vjeçari të luajë për Brazilin.
“Unë gjithmonë kam thënë se dyert e Kombëtares janë të hapura për secilin lojtar, i cili është i mirë teknikisht”.
“Ronaldo aktualisht është në formë të shkëlqyer dhe është duke u përcjellë nga stafi teknik (i përfaqësueses së Brazilit)”, ka thënë Dunga.
Që nga rikthimi i tij në lojë, Ronaldo ka shënuar 10 gola në 13 paraqitje për Corinthians.
“Ronaldo gjithmonë ka shënuar gola. Por kjo është hera e parë që nga viti 2006 që ai ka arritur të luajë më shumë se në dhjetë ndeshje radhazi, prandaj pritet që ai të progredojë edhe më shumë”.
“Ai e njeh potencialin e tij. Kështu që, ka mbetur edhe një vit deri te Kampionati Botëror dhe të gjithë duhet të angazhohen për ta fituar rastin për të luajtur”, ka shtuar trajneri i Brazilit.