Real Madridi më nuk është kampion i Spanjës, pasi ka pësuar edhe një herë, kësaj here nga Villarreali me rezultat 3-2, duke i lejuar Barcelonës të shpallet kampion i ri me edhe dy ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.
Villarreali javën e kaluar prishi planet e Barcelonës, duke ia pamundësuar të fitojë titullin në Camp Nou, por kësaj here i bëri një nder tjetër duke mposhtur Real Madridin dhe duke ua ‘dhuruar’ më herët titullin katalanasve.
Vendasit kaluan në epërsi që në pjesën e parë të ndeshjes me anë të një goli me kokë të shënuar nga sulmuesi francez Robert Pirez, që ishte edhe goli i vetëm i pjesës së parë.
Reali u rikthye mbarë pas pauzës, duke barazuar që në minutën e dytë të pjesës së dytë me anë të golit të parë këtë sezon të Rafael Van der Vaart.
Vendasit rimorën epërsinë pas edhe 15 minutash tjera me anë të Cani (62’), para se mbretërit të barazojnë edhe një herë, dy minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes kësaj here me anë të Gonzalo Higuain (88’).
Por, si në ndeshjen e kaluar ndaj Barcelonës, Villarreali shënoi në minutat e fundit të ndeshjes, kësaj here për të marrë tri pikë të plota nga derbi i javës me anë të golit të Joan Capdevilla.
Me këtë fitore Villarreali mban gjallë shpresat për një vend në Ligën e Kampionëve, pasi ngjitet në pozitën e pestë, me 59 pikë, sa ka edhe Valencia në pozitën e katërt, e që nesër udhëton tek Atletico Madrid.
Reali mbetet në pozitën e dytë me 78 pikë, pa asnjë gjasë për të arritur Barcelonën, që ka 86 pikë në krye të tabelës, e që nesër do të fitojë titullin në fushë të Mallorcas, pavarësisht rezultatit.