Zenit St Petersburgu ka rishfaqur interesimin për sulmuesin e Juventusit, Vincenzo Iaquinta, me ç’rast pritet një tentativë e re për ta transferuar atë në qershor, pas dështimit në janar.
Sportmediaset.it njofton se trajneri i skuadrës ruse Dick Advocaat vazhdon të jetë i interesuar për blerjen e sulmuesit italian dhe pritet të bëjë një ofertë në afatin kalimtar veror.
I njëjti burim pohon se Pavel Pogrebynyak do t’i bashkëngjitet Andrey Arshavinit tek Arsenal, dhe në këtë mënyrë do të krijohen fonde dhe hapësirë për Iaquintan.
Vendi i Iaquintas në formacionin bazë të Juves është thuajse i pamundur në raport me Alessandro Del Pieron dhe Amaurin, ndërsa ardhja e Diegos do t’ia kufizojë edhe më shumë minutazhin e lojës.
Kjo mund të jetë një arsye shtesë për ta detyruar ish-sulmuesin e Udineses të largohet nga Torino duke llogaritur se ai dëshiron të luajë sa më shumë për t’u përfshirë në formacionin e Italisë në Kampionatin Botëror 2010.