Cleveland Cavaliers ka mposhtur ekipin e Atlanta Hawks edhe për të katërtën herë radhazi, kësaj here me rezultat 84-74, duke u kualifikuar në finalen e Konferencës Lindore.
LeBron James shënoi 27 pikë derisa Cavaliers vazhdojnë me formën dominuese të pas sezonit, duke u bërë ekipi i parë që tashmë kualifikohet për në finalet.
Delonte West shënoi 21 pikë dhe Zydrunas Ilgauskas 14 pikë dhe 10 kërcime për Cavaliers, të cilët i kaluan dy rundet e para të play-offit pa asnjë humbje dhe me tetë fitore. Josh Smith udhëhoqi te Atlanta me 26 pikë, ndërsa Joe Johnson shënoi 18 pikë.
Në Perëndim, Dallas Mavericks i mohoi Denver Nuggets të shënojë edhe fitoren e katërt, duke e mposhtur me rezultat 119-117. Dirk Nowitzki shënoi 44 pikë dhe 13 kërcime, derisa Josh Howard shënoi 21 pikë dhe 11 kërcime për Dallas.
Carmelo Anthony udhëhoqi tek Denver me 41 pikë dhe 11 kërcime. Nuggets do të jenë nikoqirë të ndeshjes së pestë, që do të zhvillohet të mërkurën.