Barcelona ka treguar edhe një paraqitje spektakolare për të arritur tek trofeu i parë i sezonit, Kupa e Mbretit, pasi mposhti në finalen e të mërkurës Atletic Bilbaon me rezultat 4-1.
Bilbao u tregua i rrezikshëm në fillim të ndeshjes, duke kaluar në epërsi me anë të Gaizka Toquero pas nëntë minutash lojë. Por Barcelona e pandalshme së pari barazoi në pjesë të parë me anë të Yaya Toure (32’), për të shënuar edhe tre gola në pjesën e dytë dhe ‘keqpërdorë’ disa raste të tjera.
Lionel Messi kaloi Barcelonën në epërsi në minutën e 10-të të pjesës së dytë, pas një topi të reflektuar nga portieri i Atleticos, që mbrojti një goditje të Samuel Eto’o.
Bojan Krkic shtoi epërsinë në 3-1 me anë të një shtylla-goli tre minuta më vonë, ndërsa në listën e golashënuesve u shënua edhe Xavi Hernandez, që mposhti portierin Gorka Iraizoz me anë të një goditje të përkryer nga gjuajtja e lirë.
Kupa e Spanjës ishte trofeu i parë për të cilin luftonte këtë sezon Barcelona. Ekipi i trajnerit Pep Guardiola është në prag për të fituar kampionatin spanjoll, ndërsa do të jetë edhe në finale të Ligës së Kampionëve në fund të këtij muaji.