Takimi miqësor i zhvilluar të martën mbrëma në “Qemal Stafa”, ndërmjet Shqipërisë dhe Milanit, ka përfunduar me rezultat të barabartë prej 3-3, ndërsa pas ekzekutimit të penalltive më efikas u treguan lojtarët e Milanit, të cilët u shpallën fitues të Trofeut Taçi Oil.
Rossonerët arritën të krijojnë avantazh të dyfishtë me golat e Ronaldinhos dhe Shevchenkos, mirëpo Përfaqësuesja kuqezi arriti të kthehej në lojë dhe jo vetëm të barazonte, por ta përmbyste rezultatin.
Lojtarët e Kombëtares shqiptare u treguan shumë më ‘të gjallë’ në gjysmën e dytë të takimit duke shënuar tre gola.
Vila ngushtoi epërsinë në 2-1, Muzaka e barazoi rezultatin në 2-2, ndërsa Hamdi Salihi e kaloi Shqipërinë në epërsi.
Megjithatë, lojtarët vendas nuk arritën ta ruanin epërsinë deri në fund të ndeshjes, pasi që pas një depërtimi të superyllit brazilian, Ricardo Kaka, si gjithmonë, përpara portës u gjet Filippo Inzaghi , i cili barazoi rezultatin në 3-3.
Për ta vendosur fituesin u desh që të ekzekutoheshin penalltitë, dhe nga njëmbëdhjetëmetërshat më të saktë u treguan Rossonerët, të cilët fituan me rezultat 5-4.