Skuadra e Lazios është shpallur për të pestën herë fitues i Coppa Italia, pasi që në finale e ka mposhtur Sampdorian pas ekzekutimit të penalltive.
Takimi i zhvilluar të mërkurën mbrëma në Stadio Olimpico të Romës, ndërmjet Lazios dhe Sampdorias, i vlefshëm për Kupën e Italisë, ka përfunduar me rezultat prej 1-1, ndërsa pas ekzekutimit të penalltive më e suksesshme u tregua skuadra kryeqytetase.
Lazio kaloi në epërsi që në minutat e para të ndeshjes (4’) me anë të argjentinasit Mauro Zarate duke e vënë në vështirësi Sampdorian.
Skuadra gjenovase u kthye në lojë shumë shpejt dhe arriti ta barazojë rezultatin me anë të Giampaolo Pazzinit në minutën e 31-të.
Në pjesën e dytë të kohës së rregullt nuk u shënua asnjë gol dhe rezultati i barabartë i dërgoi skuadrat në vazhdime.
As pas 120 minutave nuk përcaktua fituesi, prandaj kjo u vendos me ekzekutimin penalltive, ndërsa nga pika e bardhë më efikas u treguan lojtarët e Lazios, të cilët gabuan vetëm njëherë, ndërsa Blucerchiatët dështuan dy herë nga njëmbëdhjetëmetërshat dhe në këtë mënyrë skuadra kryeqytetase fitoi trofeun e pestë të Coppa Italia.